Muja: Vetëvendosje erdhi në pushtet për rritje të cilësisë së arsimit e jo të rrogave
Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet me premtime për rritje të cilësisë në arsim e jo rritje rrogash, ka thënë deputeti i këtij subjekti, Armend Muja.
Madje, ai në emisionin “Respublika” në Tëvë1 deklaroi se nuk mund të zbatojnë praktikat e qeverive paraprake duke rritur rrogat e mësimdhënësve.
“Ne kur kemi ardhë në ofertën tonë programore ndoshta për herë të parë në Kosovën e pas vitit 2008 nuk kemi premtu rritje rrogash për të fituar zgjedhjet. Kemi premtu rritje te cilësisë në arsim kjo ka qenë oferta jonë programore dhe me rritjen e cilësisë i kemi fitu zgjedhet populli e ka parë çfarë kanë ofru Qeveritë e mëhershme edhe ne çfarë kemi ofruar edhe e ka përqafu ofertën tonë”, tha ai.
Sipas tij, Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës është përdorur nga Partia Demokratike e Kosovës si mekanizëm për disiplinim të kryeministrave që nuk i ka pasur nga rradhët e veta.
“Unë besoj që domosdoshmërisht kam dro ose dyshoj që SBASHK-u me kalimin e kohës jo mësimdhënësit është mirë të dallohen, i kemi 23 mijë mësimdhënës shumica i respektoj, por është një konjukturë e ngushtë që ka qenë në shërbim të PAN-it një kohë të gjatë nëse të kujtohet kur diskutohej për ndarjen e Kosovës, unë besoj që SBASHK-u është përdor si mekanizëm për disiplinimin nga PDK të kryeministrave që nuk i ka pasë nga rradhët e veta”, shtoi ai.