MPJD kërkon sqarime urgjente nga Serbia për arrestimin e shtetasit kosovar Avni Qenaj - NACIONALE

MPJD kërkon sqarime urgjente nga Serbia për arrestimin e shtetasit kosovar Avni Qenaj

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka bërë të ditur se, menjëherë pas marrjes së informacionit për arrestimin e shtetasit të Republikës së Kosovës, Avni Qenaj, nga autoritetet serbe, janë ndërmarrë veprimet e para zyrtare për të sqaruar rastin dhe për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të tij.

Sipas njoftimit, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka dërguar kërkesë zyrtare te Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë, për të konfirmuar arrestimin, për të sqaruar arsyet konkrete të ndalimit, vendndodhjen aktuale ku po mbahet i arrestuari, si dhe çdo informacion tjetër të nevojshëm për trajtimin e mëtejshëm të rastit.

Paralelisht, Zyra Ndërlidhëse ka njoftuar edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, duke kërkuar monitorim të shtuar dhe transparencë të plotë nga autoritetet serbe në procedurat që po zhvillohen.

MPJD ka bërë të ditur se ndaj misioneve diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi është dërguar një notë verbale, me qëllim angazhimin e partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së shtetasit kosovar.

Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi do të paraqesë kërkesën zyrtare për lejimin e vizitës së shtetasit të ndaluar, sapo të marrë konfirmimin zyrtar për lokacionin e tij.

MPJD thekson se mbetet e angazhuar plotësisht për të ndriçuar të gjitha rrethanat e rastit dhe garanton se opinioni publik do të informohet me kohë dhe në mënyrë të vazhdueshme për çdo zhvillim.

Në fund, ministria u bën thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të rrisin vigjilencën dhe presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, duke theksuar se praktikat e keqtrajtimit dhe intimidimit të shtetasve të Kosovës përbëjnë shkelje të qarta të normave dhe standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Lajme të ngjashme