MPJ jep detaje për paraqitjen e Gërvallës në seancën e Këshillit të Sigurimit: Do të flasë edhe për marrëveshjen e Ohrit
Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar se kryediplomatja Donika Gërvalla do të marrë sot pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Përmes një komunikate për media, MPJ ka bërë të ditur se në këtë seancë do të shqyrtohet raporti i sekretarit Antonio Guterres për Kosovën.
“Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, po qëndron në Nju Jork, ku përpos takimeve të zhvilluara me përfaqësuesit e përhershëm të shteteve të ndryshme në Kombet e Bashkuara ,do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjatë së cilës do të shqyrtohet raporti periodik i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për Kosovën.” – thuhet në njoftim.
Po ashtu, MPJ ka bërë të ditur se në seancë Gërvalla do t’i paraqesë të arritura dhe sfidat me të cilat po përballet vendi, po ashtu edhe zhvillimet pas marrëveshjes së Ohrit.
“Gjatë kësaj seance, ministrja Gërvalla do t'i paraqesë të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet Republika e Kosovës, zhvillimet politike pas marrëveshjes së Ohrit, zhvillimet e suksesshme në arenën ndërkombëtare, sukseset në fushën e ekonomisë, sundimit të ligjit si dhe t’i njoftojë pjesëmarrësit në seancë për perspektivën e përgjithshme të vendit në vitet pasuese.” – thuhet në njoftim.
Në fund, MPJ ka njoftuar se sipas orës lokale, seanca do të fillojë në orën 16:00.