Momenti i Haki Abazit: Deputeti i VV-së “i famshëm” pasi tha se do të flasë për skandale, audio e videoincizime
Dikur zëvendëskryeministër, tash deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, duket se është i nervozuar me partinë të cilës i përket. Pakënaqësia e tij, e parë tash e disa kohë, duket se ka arratiur deri në paralajmërimin për skandal, audio e videoincizime.
Krejt kjo, e ka bërë Haki Abazin një prej personave më të kërkuar të momentin, saqë është “popular now” apo “i famshëm tani” në rrjetin social Facebook.

Më herët, deputeti i partisë në pushtet përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se “me urdhërin e kryeministrit Kurti për të kërkuar shkarkimin nga pozita e kryetarit të Komisionit për punë të Jashtme dhe Diasporë, si dhe heqjen nga Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asocim BE-Kosovë”, do të mbajë një konferencë për media.
Por, fjalia e fundit e shkrimit të tij është ajo që tërhoqi më së shumti vëmendje, dhe e cila me shumë gjasë, e ka bërë Abazin personin e famshëm të momentit.
“Nesër poashtu flasim për audio/ video incizimet dhe skandalet tjera që ky urdhër mëton t‘i mbulojë.” – ka thënë ai.
