Molliqaj: Pagat e punëtorëve do të rriten, jo me qejf të qeverisë, por për shkak të rezistencës
Kryetari i Partisë Socialdemokratike, Dardan Molliqaj, përmes një shkrimi në Facebook, ka shkruar rreth situatës ekonomik enë vend.
Molliqaj thotë se kanë kanë kaluar afër një vit pas deklaratës së kryeministrit Kurti, i cili kishte thënë se Kosova po përjeton rritjen më të madhe ndonjëherë. Por Molliqaj thotë se Ekonomia e inflacioni i rritë, por jo edhe pagat. Mirëpo ai thotë se pavarësisht "kokëfortësisë' së qeverisë, pagat e punëtorëve do të rriten për shkak të rezistencës.
Statusi i plotë:
Ekonomia u rrit, inflacioni po rritet, pagat jo.
Ka kaluar gati një vit që nga kur Kurti deklaroi që vendi jonë asnjëherë nuk ka përjetuar rritje aq të madhe të ekonomisë si gjatë qeverisjes së tij në vitin 2021.
Tha se rritja ekonomike e Kosovës po i frikëson armiqtë e saj.
Tha se rritja është dyshifrore, me një bonus prej rreth 800 milionë euro në ekonominë tonë.
Tha se meritore është qeverisja shpresëdhënëse që i rriti të hyrat buxhetore dhe i uli shpenzimet qeveritare.
Tha shumë e nuk bëri asgjë.
Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin janar 2022 me muajin janar 2021 ishte 7.1% dhe në korrik 14.2%. Mesatarja e rritjes së inflacionit mujor nga janari deri në korrik është rreth 1.34%.
Vetëkënaqësia nuk është arma e duhur në luftën kundër inflacionit dhe as përkrahje e qytetarëve në përballje me të, njëjtë sikurse që nuk janë pagesat e një hershme, sepse inflacioni nuk zhduket si për befasi brenda natës.
Rritja e pagave është domosdoshmëri - siç është edhe Ligji i Pagave, i cili po zvarritet -, sepse qytetarët kanë nevojë për zgjidhje dhe jo për lëmoshë. Rritja ekonomike apo bonuset edhe mund të duken bukur në letër, por pa masa të duhura mirëqenieje nuk sjellin e as nuk e kompensojnë mirëqenien që po e gëlltitë inflacioni çdo muaj.
Sado kokëfortë të jetë qeveria, kërkesat e drejta të punëtorëve janë më të forta dhe pagat do të rriten, jo me qejf të qeverisë, por për shkak të rezistencës.