Molliqaj: Në pesë vitet e fundit, ka munguar një gjë: opozita – ta bëjmë atë realitet
Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka kritikuar ashpër partitë opozitare në vend, duke thënë se gjatë pesë viteve të fundit Kosova ka qenë pa një opozitë të mirëfilltë.
Në një video-adresim, Molliqaj tha se përballë Albin Kurtit, i cili sipas tij po synon ta zgjerojë pushtetin personal e politik, partitë opozitare nuk kanë ndërtuar kundërshtim real, por kanë kërkuar hapësirë brenda së njëjtës logjikë pushteti.
“Në pesë vitet e fundit, në Kosovë ka munguar një gjë: opozita. Kurti po lufton të rrisë pushtetin e vet. Partitë opozitare po kërkojnë më shumë hise në pushtet me të”, ka thënë Molliqaj.
Sipas tij, vendi ka nevojë për një opozitë që nuk hyn në pazar me pushtetin dhe nuk e sheh Kuvendin si hapësirë kalkulimesh, por si arenë të ballafaqimit politik.
Molliqaj tha se këtë rol synon ta marrë PSD-ja, të cilën e paraqiti si alternativë ndaj partive që, sipas tij, nuk kanë arritur ta sfidojnë pushtetin me ide, program dhe qëndrim të qartë opozitar.