Mitrovicë: Një fëmijë goditet nga vetura, dërgohet në QKUK për tretman mjekësor - NACIONALE

Mitrovicë: Një fëmijë goditet nga vetura, dërgohet në QKUK për tretman mjekësor

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Një veturë ka goditur një fëmijë mbrëmjen e sotme në rrugën nacionale Mitrovicë–Zubin Potok, konkretisht në fshatin Zhabar.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti. Ai bëri të ditur se njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

“Rreth orës 18:00, në rrugën nacionale Mitrovicë–Zubin Potok, në segmentin rrugor në fshatin Zhabar, ka ndodhur një aksident trafiku ku një veturë ka goditur një këmbësor të mitur. I lënduari është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa policia ka nisur hetimet lidhur me aksidentin,” ka deklaruar Zahiti për “Jepi zë”.

Pas lëndimeve të marra, fëmija është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës. Zëdhënësi i spitalit, Shpend Fazliu, ka njoftuar se pacienti është pranuar në Shërbimin Emergjent në ora 18:07.

Pas ekzaminimeve të nevojshme, përfshirë edhe tomografinë e kokës, mjekët kanë vendosur që fëmija të referohet për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Ju konfirmojmë se në ora 18:07, si pasojë e një aksidenti, në Shërbimin Emergjent ndihma mjekësore emergjente i është dhënë një fëmije të lindur në vitin 2018. Pas ekzaminimeve të nevojshme, përfshirë Tomografinë e Kompjuterizuar (CT e kokës), është referuar për në QKUK, tek specialistët e neurokirurgjisë. Për momentin është jashtë rrezikut për jetë, por nën monitorim deri në përcjellje për QKUK,” thuhet në konfirmimin e Fazliut për “Jepi zë”.

Lajme të ngjashme