Ministria e Shëndetësisë ofron përkrahje për Hanin e Elezit, pas helmimeve masive
Një delegacion i Ministrisë së Shëndetësisë ka qëndruar në Han të Elezit, pasi qindra qytetarë kërkuan ndihmë si pasojë e helmimeve.
“Zëvendësministri Berisha u njoftua nga autoritetet lokale shëndetësore të Hanit të Elezit se nga fillimi i ankesave të qytetarëve deri në ora 12 të ditës së sotme, ekipet mjekësore kanë vizituar 195 pacientë, kurse pas orës 12:00, 5 pacientë”, thuhet në njoftim.
“MSh dhe SHSKUK kanë ndihmuar QKMF-në e Hanit të Elezit me furnizime me medikamente dhe materiale shpenzuese të nevojshme të kërkuara si nevoja emergjente. Ekipet e IKSHPK-së ndërkaq, kanë marrë edhe sot mostra për analizë laboratorike të ujit pas dyshimeve për intoksikim të ujit. Me qëllim të përballimit të situatës dhe ofrimit të shërbimeve për të gjithë qytetarët me ankesa, QKMF e Hanit të Elezit është mbështetur nga ekipet e Kujdesit Parësor Shëndetësor nga Komuna e Ferizajt dhe Komuna e Vitisë”, bëhet e ditur në komunikatë.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, ka vizituar gjithashtu komunën e hanit të Elezit duke ju ofruar mbështetje autoriteteve lokale për menaxhimin e situatës.