Ministria e Liburn Aliut vulos kontratën për tenderin e Autostradave, ani pse pranoi ofertë fiktive
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka vulosur tenderin për mirëmbajtjen verore dhe dimërore, të dy autostradave në Kosovë. Kontrata, është për tre vite.
Kontratat tani janë publikuar edhe në faqën Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik -KRPP, tek prokurimet e MI-së.
Auditori i Ministrisë, ka gjetur shkelje në realizimin e tenderit, por megjithatë, ministria ka vazhduar tutje me nënshkrimin e tyre, derisa puna pritet të fillojë shumë shpejt.
Periskopi raporton se fakte të reja, tregojnë për manipulim të tenderit “Mirëmbajtja dimërore dhe verore e autoudhes A7 lot 1 dhe lot 2 dhe mirëmbajta dimërore dhe verore e autoudhës A6, lot 3 dhe lot 4”.
Grupi i kompanive në krye me “2A Group” SHPK & NNT “ABC” SHPK & “B CORP” SHPK & “JUBICA” SHPK ka marrë kontratën për lot 2.

Sipas Periskopit, oferta e lot 2 ka qenë e kundërligjshme dhe është mashtruar Autoriteti kontraktues sipas dokumentacionit që ka dorëzuar një ofertues.
Ndërkaq, kompania NNT ABC SH.P.K ka dorëzuar referenca të kompanisë, që nuk ekziston, dhe e njëjta është shuar para pak muajve.
Kompania në fjalë, që raportohet se deri tani ka fituar dhjetra tendere nga institucionet publike, është shuar më datë 11.03.2022.

Në të njëjtën ditë, është themeluar kompania tjetër NNT ABC SH.P.K. Ajo që vërehet, është se në kompaninë që u shua pronarë ishte Arben Jetullahu, ndërsa në atë që u themelura, Mirsad Jetullahu.

NNT ABC SH.P.K ka dorëzuar referencat e kompanisë që veç se ishte shuar, pikërisht për “Mirëmbajten Verore dhe Dimërore të rrugëve Nacionale dhe Regjionale të republikës së Kosovës 2017 -2018 -2019. Vlera e kontratave 3, 239, 324.45 euro”.

Nëse kompanisë në fjalë do t’i ndërrohej vetëm statuti në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, oferta do të ishte valide, por Periskopi duke u thirrur në burime, raporton se kompania është shuar krejtësisht.
Më shumë detaje gjeni në këtë LINK.