Ministri izraelit thotë se Khamenei “nuk mund të lejohet të ekzistojë më”
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha të enjten se lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, “nuk mund të lejohet më të ekzistojë”.
Komentet e Katzit erdhën pasi spitali “Soroka” në jug të Izraelit u godit gjatë një sulmi raketor iranian, shkruan gazeta “The Guardian”.
Duke folur para gazetarëve në Holon, afër Tel-Avivit, ministri i Mbrojtjes tha: “Khamenei haptazi deklaron se e dëshiron Izraelin të shkatërruar – ai personalisht e jep urdhrin për të shkrepur drejt spitaleve. Ai e konsideron shkatërrimin e shtetit të Izraelit qëllim. Një njeri i tillë nuk mund të lejohet më që të ekzistojë.”
Spitali që u godit kishte mbi 1 mijë shtretër dhe ofronte shërbime për rreth 1 milion banorë të pjesës jugore të Izraelit.
Në një deklaratë të lëshuar nga spitali thuhet se disa pjesë të objektit u dëmtuan dhe se në dhomën e emergjencës po trajtoheshin disa persona për lëndime të lehta.