Ministri i Mbrojtjes alarmon për “rrezik shumë të lartë” sulmi nga Serbia
Rreziku ushtarak që Kosovës i vjen nga Sebria “është shumë i lartë”, ka thënë Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, në një intervistë për “The Geopost”.
Maqedonci thotë se kapacitetet luftuese ushtarake të Serbisë janë të dislokuara në jug të Serbisë, duke e bërë kësisoji situatën për një sulm të mundshëm alarmante.
“E kemi një dislokim enorm të ushtrisë, policisë dhe xhandarmërisë serbe në jug të Serbisë, kryesisht përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës. Përveç tri brigadave, ka edhe formacione të tjera luftarake të ushtrisë serbe që janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë dhe kryesisht janë në bazat në Rashkë, Nish dhe Vranjë, pra përgjatë gjithë vijës kufitare të vendit tonë dhe këto 48 baza që i theksuat janë një zgjatje operacionale e këtyre tri brigadave të ushtrisë serbe e që aktualisht janë në jug të territorit të Serbisë dhe vetëm 1 nga 4 brigadat e ushtrisë së Serbisë është e dislokuar në veri të territorit të Serbisë, më saktësisht në kufi me Republikën e Kroacisë”, ka thënë ministri.
“Duke i shtuar kësaj edhe veprimet e fundit që janë ndërmarrë nga grupe të armatosura paramilitare të udhëzuara nga strukturat e sigurisë së Serbisë, ky rrezik është shumë i lartë”, ka vlerësuar ministri.