Ministri i Kurtit: Hap i pritur nënshkrimi i peticionit në veri
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka folur për peticionin për shkarkimin e kryetarëve në veri.
Rashiq për RTK-në, tha se përfaqësimi atje nuk ishte i shumicës prandaj erdhi gjendja deri tek peticioni.
“Ministria e jonë e ka hartuar këtë plan sipas nevojave dhe është një hap i pritur sa i përket nënshkrimeve nga qytetarët atje, verifikimit të nënshkrimeve dhe nëse krijohen kushtet për ndonjë referendum edhe ai do të ndodhë atje. Konsideroj që nëse do të ketë zgjedhje atje pjesëmarrja e qytetarëve do të jetë e kënaqshme”, tha Rashiq, duke shtuar se me këto zgjedhje do të ketë përfaqësim më normal në veri.
Ministri shtoi se pavarësisht se cilët do të zgjidheshin kryetarët, ministri që ai drejton do të bashkëpunojë me të gjithë.
Ai ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë nëse ftohet në përpilimin e draftit të Asociacionit.
“Prej fillimi kam thënë se obligimet ndërkombëtare nuk mund të fshihen. Pra ai dokument pavarësisht se si quhet Asociacion apo vetmenagjim kjo është relevante. Unë konsideroj që në arenën ndërkombëtare do të shihej si një hap i madh i Kosovës kur do të nis hartimi i draftit të Asociacionit dhe mendoj se një çështje e tillë do ta fuqizojë Kosovën në arenën ndërkombëtare”, tha Rashiq.