Ministri Çeku denoncon lëndimin e policëve në ndeshje basketbolli: Është e turpshme - NACIONALE

Ministri Çeku denoncon lëndimin e policëve në ndeshje basketbolli: Është e turpshme

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku ka denoncuar lëndimin e policëve gjatë finales ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës.

Si gjithnjë në basketbollin vendor ka pasur incidente, ku këtë herë mesa duket e ka pësuar edhe policia e Kosovës.

Ministri Çeku shkroi se ky veprim është i turpshëm, i papranueshëm dhe i dënueshëm, derisa iu urojë shërim të shpejtë policëve të Kosovës dhe të lënduarve të tjerë.

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

"Në një periudhë aspak të lehtë për shtetin tonë për shkak të zhvillimeve në veriun e Kosovës, lëndimi i policëve në një ndeshje basketbolli është veprim i turpshëm, i papranueshëm dhe i dënueshëm.

Sporti nuk është luftë. Palestrat dhe fushat e sportit nuk janë për "trimat" që kanë problem me vetëpërmbajtjen. Për fajin e disave, jemi duke pësuar të gjithë, është duke pësuar sporti i Kosovës. Grupet e tifozëve, në emër të mbështetjes së klubeve të tyre të zemrës, janë duke e shkatërruar shpirtin sportiv dhe duke i shndërruar palestrat dhe fushat e sportit në ambiente të pasigurta për qyterarët sportdashës.

Ndeshjet e sportit janë momente argëtimi për familjet tona, për të gjitha grupmoshat pa dallim. Huliganizmi i disave është shndërruar në tmerrin e prindërve që duan të shijojnë sportin bashkë më fëmijët e tyre.

Këshilli për parandalimin e dhunës në kuadër të Ministrisë së Sportit rregullisht ka trajtuar rastet e dhunës në sport, duke i proceduar ato në institucionet relevante. Prokuroritë dhe gjykatat e Kosovës duhet të jenë më efektive në dhënien e dënimeve për huliganët.

Edhe federatat e sportit duhet të vazhdojnë me veprime dhe vendime të ashpra, pa asnjë kompromis ndaj dhunës. Ministria e Sportit, paralelisht me veprimet e tjera, do të jetë e detyruar të zbatojë edhe veprime radikale për prezencën e tifozëve në palestra dhe fusha të sportit.

Këshilli për parandalimin e dhunës në sport do të mbledhet nesër në mëngjes për të trajtuar dhunën e shfaqur në ndeshjen e sontme të basketbollit mes Prishtinës dhe Trepçës.

Policëve të Kosovës dhe të lënduarve të tjerë u dëshiroj shërim të shpejtë”.

Lajme të ngjashme