Miftaraj për emërimet e reja të Qeverisë në detyrë: Të pakuptimta, këto pozita zgjasin vetëm disa javë
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka folur për Qeverinë në detyrë, e cila, edhe pse me mandat të kufizuar, po vazhdon me emërime të reja.
Miftaraj tha se është e pakuptimtë që të emërohen zëvendësministra të rinj në këtë kohë, pasi që me krijimin e qeverisë së re do të ketë emërime të reja.
Ai tha se këto pozita mund të zgjasin vetëm disa javë.
“Është e pakuptimtë të emërohen ministra apo zëvendësministra të rinj kur dihet se me krijimin e qeverisë së re do të ketë emërime të reja. Këto pozita mund të zgjasin vetëm disa javë”, u shpreh ai mbrëmë në Edicionin Special të Klan Kosovës.
Duhet theksuar se jo më larg se dje, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka emëruar si zëvendësministër të Punëve të Brendshme Enver Dugollin.
Një qeveri në detyrë (kujdestare) ka mandat të kufizuar vetëm për administrimin e punëve të përditshme dhe nxjerrjen e vendimeve të domosdoshme deri në zgjedhjen e ekzekutivit të ri. Sipas praktikave kushtetuese, kësaj qeverie i ndalohet avancimi i politikave të reja ose marrja e vendimeve madhore.
Gjithashtu, nuk ka mandat të bëjë shkarkime dhe emërime politike, si në rastin në fjalë.