Meta para deputetëve flet për krerët e UÇK-së: Pafajësia e tyre do të triumfojë - NACIONALE

Meta para deputetëve flet për krerët e UÇK-së: Pafajësia e tyre do të triumfojë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka mbajtur një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ku ndër të tjera ka thënë se Shqipëria duhet të bëjë më shumë drejt forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës, dhe anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare e rajonale.

Meta ka thënë se Kosova është faktor paqe e stabiliteti në rajon dhe ka theksuar se dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke.

Ai ka përmendur edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më Hagë, për të cilët ka thënë se pafajësia e tyre do të triumfojë.

“Të krenohemi për lirinë dhe pavarësinë por të qëndrojmë më vigjilentë ndaj rreziqeve të reja që na kanosen, të krenohemi me vëllazërinë tonë por t’i shërbejmë gjithmonë me sinqeritet asaj. Historia na jep çdo të drejtë të krenohemi me luftën çlirimtare të UÇK-së por të kujdesemi që kjo luftë të vazhdojë të mbetet e panjollosur siç e meriton. Të mbështetim fuqimisht dhe njëzëri kauzën e drejtë dhe përpjekjet heroike që u bënë prej luftëtarëve të lirisë për tu mbrojtur dhe çliruar prej gjenocidit. Pafajësia e udhëheqësve që sot gjenden padrejtësisht në Hagë do të triumfojë mbi çdo tentativë të pashpresë që synon t’i kthejë agresorët në viktima dhe viktimat në agresor”, ka thënë Meta.

Seanca e veçantë e Kuvendit të Kosovës në të cilin presidenti Ilir Meta iu adresua deputetëve, ka nisur me himnin shqiptar dhe atë të Republikës së Kosovës.

“Shtrirja e perimetrit të NATO-s brenda rajonit tonë është garanci e drejtpërdrejt e mbrojtjes territoriale dhe plotësisht në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Ne i mbështesim fuqimisht përpjekjet tuaja që edhe Kosova të jetë anëtare e NATO-s. Shqipëria i ka mundësitë dhe udhët të bëjë më shumë në këtë drejtim. Si vend anëtar i NATO-s, si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si vend që sapo nisi për fat të mirë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, Shqipëria ka një hapësirë veprimi ende të pashfrytëzuar sa duhet në dobi të forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe të anëtarësimit të saj në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe rajonale të mundshme”, ka thënë Meta.

Meta ka theksuar domosdoshmërinë që Kosovës t’i liberalizohen vizat duke thënë se po diskriminohet si vendi i vetëm pa lëvizje të lirë në Bashkimin Evropian.

Lajme të ngjashme