"Me të ftuarin (paftuarin)!", Hoxhaj i drejtohet Kurtit: Politika e jashtme s'matet me fjalime ideologjike
Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një "bashkëbisedim" të improvizuar, e akuzioi kryeministrin Albin Kurti për një sërë dështimesh në politikën e jashtme gjatë mandatit të tij. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Hoxhaj bëri bilancin e qeverisë aktuale, duke e cilësuar atë si të dështuar.
Hoxhaj kujtoi se qeveria e Kurtit nuk ka siguruar njohje të reja ndërkombëtare dhe as anëtarësime në organizata të rëndësishme globale. Ai ka përmendur edhe dështimin për të avancuar procesin e Kosovës drejt statusit të kandidatit për Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Hoxhaj ka kritikuar edhe fjalimin e kryeministrit gjatë Konferencës së Ambasadorëve në të cilin ka folur gjerësisht për luftën hibride. Sipas ish-kryediplomatit, është pikërisht kryeministri Kurti ai që e ka nisur këtë luftë “brenda Kosovës”.