Mbi dy milionë njerëz në Florida mbeten pa rrymë shkaku i uraganit “Ian”
Më shumë se 2.2 milionë njerëz kanë mbetur pa energji elektrike në Florida të Shteteve të Bashkuara për shkak të stuhisë “Ian”.
Sipas një uebfaqeje për përcjelljen e ndërprerjeve të rrymës në Shtetet e Bashkuara, distrikti Okeechobee në Florida është i fundit që është prekur nga ndalja e rrymës. Gati tri të katërtat e konsumatorëve atje kanë mbetur pa energji elektrike.
Dëmi i plotë i stuhisë ka gjasë që të mbetet i panjohur për disa orë për shkak të pengesave në furnizimin me rrymë dhe në komunikim në shumë zona. Ekipet emergjente po detyrohen që t’i presin kthimin e rrymës dhe kushtet më të sigurta para fillimit të operacionit të plotë të kërkim-shpëtimit.
Përderisa në Shtetet e Bashkuara nuk është raportuar ende për viktima, dy njerëz vdiqën në Kubë nga e njëjta stuhi. Për më tepër, një barkë me 23 emigrantë kubanë u përmbyt të mërkurën në mot me stuhi.
Kjo stuhi ishte njëra ndër më të fuqishmet që e kanë goditur ndonjëherë ShBA-në, kur arriti në bregdetin e Floridas si uragan i kategorisë së katërt, me erëra me shpejtësi deri në 240 kilometra në orë.
Shpejtësia e erës ka rënë në rreth 140 kilometra në orë, por Qendra Kombëtare e Uraganeve ka paralajmëruar se reshjet e dendura paraqesin rrezik për vërshime katastrofale në pjesën qendrore të Floridas.