Mbi 2 mijë persona kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës këtë vit
Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka treguar se gjatë këtij viti mbi 2 mijë persona kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës.
Liridon Neziri nga ky departament ka deklaruar për Kosovapress se nga shpallja e pavarësisë së Kosovës ka pasur një trend të njëjtë të personave që kanë hequr dorë nga shtetësia.
“Po flasim për një trend vjetor rreth 5.000 persona përjashtuar këtu vitin 2020 për shkaqe të pandemisë ku shumica e personave e kanë pasur të pamundshme qasjen në procedura në Kosovë, rastin në procedura sa i përket kompletimit të dokumenteve në këto vende të Bashkimit Evropian, të cilët janë obliguar të heqin dorë prej shtetësisë. Numri është sjellë i njëjtë edhe në këtë vit, po flasim për një trend të njëjtë, pa një ndryshim të madh. Po flasim për një trend që sillet deri në fund të vitit 5000 persona, aktualisht kemi mbi 2000 persona deri më 31 korrik, që kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës Kosovës, shto për faktin që periudha e gushtit do të jetë një volum më i madh i kërkesave për shkak që bashkatdhetarët tanë vijnë gjatë kohës së pushimit dhe të njëjtën kohë e shfrytëzojnë edhe kohën për me aplikuar për me heq dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Neziri.