Mbeturinat para komunës, Fushë-Kosova e drejtuar nga VV-ja akuzon kompaninë “Pastrimi”: Jeni me LDK-në
Komuna e Fushë Kosovës e drejtuar tash nga Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar Kompaninë Rajonale të Mbeturinave – Pastrimi, se ua hodhi mbeturinat para objektit.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social Facebook, nga komuna thuhet se kompania rajonale “drejtohet nga njerëz të afërt me ish-pushtetin e Komunës”.
“Hedhja e mbeturimave para objektit të Komunës së Fushë-Kosovës, nuk është veprim thjesht i pahijshëm, është tregues i një mentaliteti që nuk e pranon humbjen dhe nuk dinë t'a pranojnë realitetin. Pas 25 viteve në drejtim të komunës, në vend të reflektimit, kemi të bëjmë me frustrim agresiv e vandal ndaj institucionit të Komunës.
Për 25 vite komuna ishte nën drejtimin e së njëjtës parti, me premtime të mëdha për zhvillim, rend dhe shërbime moderne. Në ndërkohë për shumë vite mbeturinat u bënë simbol i përditshmërisë, keqmenaxhimit dhe hije e qeverisjes së keqe, e cila nuk u largua kurrë.
Sot, kompania rajonale e drejtuar nga njerëz të afërt me ish pushtetin e Komunës, zgjedh të hedhë një kamion me mbeturina para komunës, sikur të ishte akt proteste. Por kjo nuk është protestë, është akt apo mendësi e një kaste të korruptuar politike që për vite të tëra ka prodhuar më shumë bërllog institucional sesa zgjidhje reale të problemeve. Me këtë akt do të duhej të merreshin institucionet e drejtësisë dhe autorët të mbanin përgjegjësi para ligjit” – thuhet në reagim.
“Humbja e zgjedhjeve është pjesë e demokracisë, prandaj merreni shtruar, sepse mënyra si e përballoni atë flet shumë për nivelin e kulturës politike. Pas 25 vitesh në pushtet, më e ndershme do të ishte një kërkimfalje dhe reflektim e jo një kamion me mbeturina si mesazh politik” – thuhet tutje.