Mbajtja e festivalit “Sunny Hill”, Policia njofton për masat që janë marrë
Policia e Kosovës ka njoftuar se janë marrë disa masa për mbarëvajtjen e festivalit “Sunny Hill” i cili nis sonte dhe vazhdon deri më 2 korrik në Bërnicë të Prishtinës.
Në një komunikatë për media, policia ka bërë me dije se janë shtuar masat për ruajtjen e rendit dhe qetësisë.
“Policia e Kosovës, bazuar në autorizimet dhe kompetencat policore, angazhimet e saja policore do t’i shtrijë në disa nivele, përfshirë:
– Parapërgatitjen dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme planifikuese, koordinuese, preventive dhe operative policore në terren, në mënyrë që festivali të zhvillohet në suaza normale të rendit dhe qetësisë publike;
– Shtimin e masave preventive dhe operative-policore për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas festivalit;
– Sigurimin dhe menaxhimin e hapësirës në aspektin e sigurisë ku do të zhvillohet festivali;
– Rregullimin dhe kontrollin e trafikut rrugor përreth zonës së festivalit, përfshirë ndalesa të përkohshme, bllokime ose riorientime të rrugëve, varësisht nga nevoja;
– Monitorimin e rendit publik për të parandaluar çdo sjellje asociale, të paligjshme apo të dëmshme për sigurinë kolektive;
– Identifikimin dhe ndërmarrjen e masave adekuate ligjore me Prokurorinë e Shtetit ndaj të gjithë personave të cilët bien ndesh me ligjin;
– Praninë e shtuar të patrullave në zonat përreth, për të rritur ndjesinë e sigurisë për qytetarët dhe vizitorët;
– Ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore operative dhe hetimore, sipas ligjit dhe në varësi të situatës apo kërkesave që mund të paraqiten gjatë operacionit”, thuhet në njoftim.
Policia ka kërkuar mirëkuptim nga pjesëmarrësit në trafik, duke marrë parasysh fluksin e madh të automjeteve dhe personave që pritet të marrin pjesë në festival.
“Për qytetarët të cilët planifikojnë pjesëmarrjen në festival, nga organizatoret është paraparë dhe rregulluar udhëtimi me mjete transportuese nga kryeqyteti drejt festivalit dhe anasjelltas, andaj luten qytetarët që të shfrytëzojnë udhëtimin në këtë formë, pasi qasja në zonën e festivalit do të jetë më e lehtë dhe do të lejohen për qarkullim vetëm mjetet e autorizuara dhe personat me leje parkimi”, thuhet tutje.