Masa e re që Qeverisë po i duket si ndihmë: Shefat kosovarë i shpërblen me nga 300 euro për punëtorë - NACIONALE

Masa e re që Qeverisë po i duket si ndihmë: Shefat kosovarë i shpërblen me nga 300 euro për punëtorë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka dhënë detaje rreth masës së re të propozuar nga Qeveria e Kosovës, përmes së cilës thuhet se do të përfitojnë familjet që nuk kanë asnjë të punësuar.

Murati në një konferencë për media para gazetarëve, ka thënë se subvencionimi për bizneset që do të pranojnë të punësuarit, do të jetë deri në 300 euro, por se paga mund të jetë edhe më e lartë, shkruan gazeta Nacionale.

“Kemi ndërmarrë masën 'Qeveria për familjet' e cila do të mundësojë që bizneset që janë të intersuar të punësojnë mbajtës të familjes, që nuk kanë asnjë të punësuar, t’i mbështesim me 70 për qind të pagës bruto, pra deri në 300 euro, paga mund të jetë më e lartë, por subvencionimi do të jetë deri në 300 euro. Ne do t’i publikojmë edhe kriteret për aplikim, bizneset që mund të punësojnë, pra mbajtësitë e familjes, bizneset duhet të lajmërohen në Zyrat e Punësimit dhe të tregojnë për numrin e stafit dhe pozitat për të cilat kanë nevojë”, ka thënë Murati.

Ai tutje ka treguar edhe kriteret që duhet t’i plotësojnë punëmarrësit dhe punëdhënësit, derisa ka theksuar se mund të lajmërohen në Zyrat e Punësimit që nga sot.

“Siç e thash, për bizneset, në mënyrë që të përfitojnë 70 për qind mbështetje të pagës bruto për të punësuarit që i punësojnë, një nga kriteret është se nuk mund të punësojnë më shumë se 30 për qind të stafit ekzistues, pra nëse një biznes i ka 10 punëtorë, mund t’i punësojë deri në 3 persona nga kjo masë. Kurse, për t’u regjistruar për këtë përfitim, duhet të regjistrohet në Agjencitë e Punës në Zyrat Rajonale dhe duhet të sjellin me vete raportin e punës, apo edhe të OJQ-së, kodin e leternjoftimit të pronarit, si dhe listën apo numrin e të punësuarëve që janë aktualisht të punësuar. Në anën tjetër, punëkërkuesit apo mbajtësit e familjes në këtë rast, duhet të jenë 18 deri në 64 vjeç, duhet të mos kenë asnjë anëtarë të punësuar të bashkësisë familjare, si dhe po ashtu të regjistrohen si të papunë në Zyrat Rajonale. Duhet të sjellin kopjen e leternjoftimit, apo diplomën ose çertifikatën e nivelit të edukimit, si dhe një CV që të tregojnë në pika të shkurta se në cilat fusha kanë aftësi për të punuar. Të gjitha këto, mund të bëhen që nga sot”, ka thënë ai./Nacionale.com/