Marrin fund “filmat” e Hazirajt nga arratia, dorëzohet në Polici pasi s’kishte nga t’ia mbante
Është arrestuar nga Policia e Kosovës Vezir Haziraj, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “vrasje në tentativë”.
Më 7 gusht 2026, Hazirajt dyshohet se kishte plagosur një person në fshatin Orroberdë të Istogut, pas së cilës ishte arratisur.
Për disa ditë me radhë, ai dyshohet se kishte publikuar video të ndryshme nga arratia, ndërsa kishte refuzuar të dorëzohej te autoritetet.
Sipas Policisë së Kosovës, më 15 gusht është zbatuar një plan operativ për kapjen e tij, në të cilin kanë marrë pjesë njësi të ndryshme të sigurisë, përfshirë Njësinë Speciale Intervenuese/FIT, njësinë e vëzhgimit dhe njësi të tjera nga niveli qendror. Në operacion ka qenë e përfshirë edhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Policia ka njoftuar se Haziraj, pasi ka parë se nuk kishte mundësi të largohej, është dorëzuar. Dorëzimi, sipas policisë, është bërë pa incidente.
Komunikata e Policisë së Kosovës:
Arrestohet Vezir Haziri, i dyshuari për veprën penale “Vrasje në tentativë”
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, përkatësisht Stacioni Policor në Istog, më 7 gusht 2026, rreth orës 20:50, është informuar për një plagosje të ndodhur në fshatin Orroberdë të Istogut.
Njësitet policore janë përgjigjur menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur viktimën, e cila ishte e plagosur me armë zjarri. I njëjti është dërguar fillimisht në Spitalin Rajonal në Pejë, ndërsa më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë për trajtim mjekësor.
I dyshuari për këtë rast është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime në DRP Pejë kanë punuar intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij. Me autorizim të prokurorit të shtetit, është lëshuar edhe kërkesë për bashkëpunim me qytetarët.
Më 15 gusht 2026, Sektori Rajonal për Hetime ka zbatuar një plan veprimi në bashkëpunim me njësitet nga niveli qendror, përfshirë NJSI/FIT, njësinë e vëzhgimit dhe njësi të tjera.
Sipas policisë, edhe AKI-ja ka luajtur rol kyç, duke qenë aktive dhe bashkëpunuese gjatë gjithë periudhës së operacionit.
“I dyshuari Vezir Haziri, duke e parë se nuk kishte mundësi largimi, është dorëzuar dhe gjithçka ka shkuar pa ndonjë incident”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.