Mark Carney do të jetë kryeministër i ri i Kanadasë, e fitoi garën për udhëheqjen e Partisë Liberale
Mark Carney, i cili e kishte mbikëqyrur reagimin ndaj krizave financiare në Amerikën Veriore dhe Britaninë e Madhe, do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kanadasë, pasi e fitoi garën për ta udhëhequr Partinë Liberale në shtetin e dytë më të madh me sipërfaqe në botë.
59-vjeçari e merr rolin e rëndësishëm në kohën kur Kanadaja është mbërthyer nga një luftë tregtare potencialisht katastrofale me Shtetet e Bashkuara, aleatja më e ngushtë dhe partnerja më e madhe tregtare e saj, raporton gazeta “The Guardian”.
Javën e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi për një taksë prej 25 për qind ndaj të gjitha mallrave kanadeze. Këto taksa e kanë fuqinë që ta fusin ekonominë e brishtë të Kanadasë në recesion.
“Amerika nuk është Kanada dhe Kanadaja kurrë, kurrë nuk do të jetë pjesë e Amerikës në asnjë mënyrë apo formë” – tha Carney para përkrahësve, duke e nxjerrë në pah krizën ekzistenciale që i ka zemëruar kanadezët, duke i marrë parasysh marrëdhëniet e vjetra me ShBA-në.
Carney tha se edhe pse Kanadaja nuk e ka kërkuar këtë luftën, “ne do të fitojmë”.
Kryeministri në largim, Justin Trudeau, paralajmëroi për kohë të rrezikshme për vendin. “Ky është një moment përcaktues ndaj kombit. Demokracia nuk është e dhënë. Liria nuk është e dhënë. Madje as Kanadaja nuk është e dhënë” – tha ai para përkrahësve.
Është e paqartë se kur do ta marrë detyrën e re Carney, i cili më parë ka shërbyer si guvernator i Bankës së Kanadasë nga viti 2008 deri më 2013 dhe guvernator i Bankës së Anglisë nga viti 2013 deri më 2020. Trudeau dhe kryetari i ri i partisë pritet të zhvillojnë bisedime ditëve të ardhshme për ta përcaktuar ditën e fundit në pushtet të kryeministrit në largim.