Maqedonci: Haxhiu ishte e ftuar në margjinat e Samitit të NATO-s, por u vlerësua se s’duhej të merrte pjesë - NACIONALE

Maqedonci: Haxhiu ishte e ftuar në margjinat e Samitit të NATO-s, por u vlerësua se s’duhej të merrte pjesë

1 orë më parë

nga NACIONALE

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ishte e ftuar të merrte pjesë në një aktivitet të organizuar në margjinat e Samitit të NATO-s në Ankara. Megjithatë, sipas tij, është vlerësuar se pjesëmarrja e saj nuk ishte e nevojshme, pasi në Samit nuk ishin në fokus as Kosova dhe as rajoni.

Maqedonci ka sqaruar se bëhej fjalë për një aktivitet njëditor të organizuar nga Këshilli i Atlantikut, ndërsa ka theksuar se në vendimin për të mos marrë pjesë ka ndikuar edhe agjenda e Haxhiut.

“Në margjinat e këtij Samiti vitin e kaluar ishte ftuar ish-presidentja Osmani, sivjet është ftuar ushtruesja e detyrës së presidentit zonja Haxhiu. Ne kemi disutimet të vazhdueshme me znj. Haxhiu për pjesëmarrjen tonë në aktivitete që lidhen me NATO-n, në këtë rast ka qenë agjenda e saj që ia ka pamundësuar. Kjo është një aktivitet nga Këshilli i Atlantikut, ftesa ka qenë për një takim njëditor, në roundtable, dhe vlerësoj se duke mos qenë pjesë e diskutimeve të Samitit, duke qenë vetëm në margjina të saj, është vlerësuar që të mos jetë pjesë ndoshta e atij aktiviteti roundtable. Kosova edhe këtë radhë është ftuar të jetë pjesë e margjinave, por Samiti është i dizajnuar për 32 vendet e NATO-s”, citohet se ka thënë Maqedonci për Kosovapress.

Sipas ministrit në detyrë, ftesat për aktivitetet që zhvillohen në margjinat e Samiteve të NATO-s duhet të vlerësohen në bazë të rëndësisë së tyre, përpara se të merret vendimi për pjesëmarrje.

“Në margjina të këtij Samiti, unë besoj se vlerësohet a është e domosdoshme të shkohet apo jo, varësisht prej rëndësisë që e kanë këto takime të tjera”, ka thënë Maqedonci.

Lajme të ngjashme