Maqedonci: FSK operon në baza të rregullta me dronët Bayraktar, s’kemi kaluar në territorin e Serbisë
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës operon në baza të rregullta me dronët Bayraktar, të blerë gjatë vitit të kaluar nga shteti i Turqisë.
“Ne jemi duke i përdorur dronët bayraktar. Bashkë me gjeneral Jasharin, komandantin e FSK-së, gjatë muajit maj kemi vizituar njësinë e sistemeve ajrore pa pilot, njësi e re që e kemi krijuar pas kontraktimit të dronëve Bayraktar”.
“Gjatë asaj vizite kemi pasur komunikim me ushtarakët tanë që drejtojnë dronët Bayraktar, patëm mundësinë që të shohim një operim me këta dronë që kjo njësi realizon në baza të rregullta. Pra, ne i testojmë dhe operojmë dronët Bayraktar në baza të rregullta”, tha Maqedonci në Rubikon të Klan Kosovës.
Ai ka mohuar pretendimet e presidentit Vuçiq se dronët kanë kaluar edhe mbi territorin serb.
“Jo, assesi nuk i përdorim dronët jashtë territorit të Republikës së Kosovës. Kapaciteti i këtyre dronëve është të vëzhgojë edhe terrene më larg se që është i vendosur droni në ajër, por nuk ka qenë kurrë synim i yni që këta dronë t’i përdorim për vëzhgim të territoreve të tjera”.