Manipulimi i votave dënohet me burg deri në 5 vjet – thotë avokati Jashari
Manipulimi i rezultateve të votimit, për të cilin Kodi Penal i Kosovës parasheh dënim deri në pesë vjet burgim, nuk mund të mbetet vetëm në nivelin e numëruesve të votave, por duhet të çojë para drejtësisë edhe urdhërdhënësit dhe porositësit e këtij procesi, tha avokati Arbër Jashari, pas mospërputhjeve të mëdha të zbuluara nga rinumërimi i votave në disa komuna.
“Nuk është e mjaftueshme të dënohen vetëm ata persona të cilët i kanë manipuluar këto rezultate, kur them manipuluar, them ata që i kanë numëruar votat, por duhet që para drejtësisë të vihen edhe personat e tjerë që i kanë urdhëruar ose i kanë porositur këto rezultate. Duke marrë parasysh se komisionerët apo zyrtarët kanë punuar për interes të dikujt, është e palogjikshme që vetëm këta të merren pra përgjegjësisë penale”, tha ai.
“Ligji për këtë vepër penale ka paraparë dënim deri në 5 vite burgim, është neni 216 i Kodit Penal të Kosovës, i cili parasheh falsifikimin e rezultateve të votimit si vepër të veçantë penale. Mendoj që hetimet duhet të shtrihen edhe ndaj personave të cilët kanë porositur apo urdhëruar këto rezultate, mbetet në detyrën e Prokurorisë që t’i gjejnë mënyrat se si. Mendoj që edhe për personat të cilët janë urdhëruesit e këtyre manipulimeve ka elemente të mjaftueshme për veprën penale, shtytjen në vepër penale të falsifikimeve të rezultateve të votimit. Pra njëra prej formave të bashkëkryerjes së veprës penale ose ndonjë vepër penale siç është dhënia ose marrja e ryshfetit ose ndonjë vepër tjetër penale varësisht nga të gjeturat e Prokurorisë”, tha ai për EO.