“Manipulim vetëm në kutitë për kryetar”: Kajtazi shpjegon dyshimet e tij për oragnizim të “Trenit Bullgar” në Shipol të Mitrovicës
Gazetari Shkumbin Kajtazi ka ngritur dyshime për manipulime zgjedhore dhe blerje votash në komunën e Mitrovicës, në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor. Ai pretendon se disa parregullsi të konstatuara në vendvotimin 1110, në lagjen Shipol, tregojnë për ekzistencën e një skemë të organizuar që lidhet me të ashtuquajturin “Treni Bullgar”.
“I kam disa dëshmi. Lagja Shipol – vendvotimi 1110, klasa 5. Mungojnë katër shirita për mbylljen e kutisë së votimit për kryetar gjatë ditës së votimit. Nëse e shihni rrumbullaksimin atje lart [duke iu referuar një fletvotimi në ekranin e emisionit Rubikon], ajo nuk është e rrumbullaksuar fare. Ne mund të themi që ka qenë mbase gabim teknik,” – tha Kajtazi në rubikon.
Sipas tij, mungesa e numrave identifikues dhe parregullsitë në disa klasa të të njëjtit vendvotim tregojnë se procesi nuk ka qenë i rregullt. Ai thekson se në disa raste ka dallim mes numrit të nënshkrimeve dhe fletëve të votimit, gjë që sipas tij tregon për manipulim të qëllimshëm.

“Në Shpiol, në vendvotimin e njëjtë 1110, klasa 1; nëse e shihni, numri i nënshkrimeve në listën e votuesve është 359 dhe gjithsej nëse e shohim te pika 9 – dallimi mes rubrikës 58 është 1. Pra, këtu është një votë telash. Këto duhet të jenë të përputhura. Krejt këto e tregojnë se këtu ka ekzistuar i famshmi ‘Treni Bullgar’,” – deklaroi ai.
Kajtazi thekson se të gjitha këto parregullsi shfaqen vetëm në kutitë për zgjedhjen e kryetarit, jo për asamble komunale, gjë që sipas tij tregon qëllim të qartë për manipulim të rezultatit të kryetarit të komunës.
“Telashe dhe probleme ka vetëm në kutitë për kryetar – askund për asamble. Qëllimi ka qenë të nxirret një fletvotim me vulë, për ata edhe mungon në atë çka është prezantuar më herët. Në atë fletvotim mundësohet krijimi i ‘Trenit Bullgar’,” – tha gazetari.
Ai shtoi se, sipas të dhënave që ka mbledhur, komisionerë zgjedhorë janë blerë paraprakisht, për t’u mundësuar organizatorëve të skemës të nxirrnin fletëvotime të vulosura, të cilat më pas u përdorën për të realizuar blerjen e votave.
“Ata fillimisht i kanë ble ata komisionerë, se pa u ble ata komisionerë nuk mund të nxirret një fletvotim nga vendvotimi. Qëllimi kur do ta realizojnë trenin bullgar është të nxirret një fletvotim me vulë, pa votë por thjesht i vulosur dhe me atë fletvotim që i jepet atij që ia blejnë votën – ai e ka për detyrë që ta fusë në kutinë e votimit atë që e kanë plotësuar ata që e kanë blerë votën,” – shpjegoi Kajtazi.