Maloku për RTK-në: Është kapje eklatante dhe shumëfish më e gërditshme seç ka mundur të jetë
Analisti dhe politologu, Albinot Maloku ka komentuar aksionin e PSD-së brenda Radio Televizionit të Kosovës.
Maloku në Facebook ka shkruar se kjo çfarë ndodhi nuk është tregues i fragjilitetit politik në vend, sa është tregues i fragjilitetit që e ka kapërdirë televizionin publik.
“Skena e sontme në lajmet qendrore në studion e Televizionit Publik të Kosovës, nuk është tregues i fragjilitetit politik në vend, sa është tregues i fragjilitetit që e ka kapërdirë Televizionin Publik. Nën yryshin e ndryshimeve të mbrapshta, çdo gjë është duke u përsëritur. Pavarësia e Televizionit Publik të Kosovës nuk ka ndodhur, as pritej të ndodhte. Kjo që është duke ndodhur ditëve të fundit, është kapje eklatante dhe shumëfish më e gërditshme seç ka mundur të jetë.” – ka shkruar ai.
Maloku ka komentuar se edhe kërkim faljen e moderatores, duke thënë se nuk pati nevojë të kërkojë aq shumë ndjesë.
“Gjithsesi, moderatorja e shkëlqyer e RTK-së, Alketa Gashi-Fazliu nuk pati nevojë të kërkojë aq shumë ndjesë. Sido që të jetë, Televizioni Publik duhet të jetë vërtet i publikut.” – ka përfunduar Maloku.
