Maliqi thotë se Administrata Trump mund të jetë e ashpër në masa ndëshkuese ndaj Qeverisë
Agon Maliqi, analist, ka folur në lidhje me raportet e mundshme në mes Qeverisë së Kosovës dhe Administratës Trump.
Sipas Maliqit, Administrata Trump është e paparashikueshme.
“Zyrtarët shtetëror duhet të kenë kujdes me deklarata ndaj Administratës Trump, pa dyshim që ka vend për shqetësim duke pasur parasysh që Administrata Trump është e paparashikueshme. Edhe në vitin 2016 e kemi pasur një rrethanë të tillë ku ka pasur pasiguri shumë të madhe, por qeveritë e më hershme kanë arritur megjithatë të ndërtojnë raporte bashkëpunimi me Administratën Trump, sepse kjo administratë ka pasur mbështetje për Kosovën edhe për Rajonin. Gjatë administratës Trump është futur në NATO Maqedonia dhe Mali i Zi, ka filluar procesi i themelimit të ushtrisë së Kosovës, ka pasur njohje që i kemi siguruar. Prioriteti i Qeverisë duhet të jetë që të gjejë mënyra që të krijoj raporte bashkëpunimi me Administratën Trump, e jo të krijoj situata antagonizmi sepse koston e paguan Kosova, deklarata e ngutura që krijojnë tension janë të papranueshme” – ka thënë ai për EO.
Tutje, ai ka pasur një paralajmërim.
“Mund të pritet kjo administratë nuk do të tregohet toleruese aq shumë sa kjo e kaluara e Biden, me qasjen që Kosova ka pasur në dialog, por edhe në Veri. Mund të jetë më e ashpër në masa ndëshkuese ndaj Qeverisë, gjithë kjo mund të kthehet në mundësi nëse krijohet një dialog i hapur me Administratën Trump, me atë se si t’i qasemi dialogut dhe si mund të fitoj Kosova” – theksoi Maliqi.