Maliqi për kushtet e Kurtit në lidhje me Asociacionin: I paskemi të njejta, erdhi dita
Analisti Agon Maliqi, ka reaguar në lidhje me gjashtë kushtet e Kurtit të cilat i prezentoi në Kuvendin e Kosovës, në lidhje me Asociacionin.
Maliqi ka shkruar se i ka kushtet e njejta edhe ai, duke e ilustruar me slloganin e VV-së, “Erdhi dita”.
“I paskemi kushtet e njëjta. Erdhi dita” shkroi Maliqi.
Kujtojmë se Maliqi ishte në takimin e 31 janarit në ambasadën e ShBA-ve, ku u diskutua për asociacionin. Aty Maliqi prezantoi katër parimet që sipas tij, do ta bënin të pranueshëm Asociacionin e që janë të ngjashme me kushet e Kurtit.
Çka tha Maliqi në takim?
1. Parimi i parë është se ky nuk mund të jetë një nivel i ri i pushtetit ekzekutiv, por vetëm lehtësues dhe mbështetës i funksioneve ekzistuese komunale dhe qëndrore. Shërbimet të cilat sot për sot funksionojnë në mënyrë joformale si shëndetësia dhe arsimi do të duhej të integroheshin në kornizat ekzistuese komunale dhe qëndrore. Shërbimet e tjera si përfitimet sociale apo pensionet, Serbia do të ishte e lirë t’ua jepte qytetarëve të vet duke qenë se serbët kanë dyshtetësi. Asociacioni mund të ketë liri t’i zbatojë aktivitetet e saja në sektorët “e butë” si kultura apo puna humanitare, por nuk duhet të ketë kurrëfarë fuqish mbi sektorët “e rëndë” si siguria.
2. Parimi i dytë është se Asociacioni duhet t’i reflektojë premisat shumëetnike dhe unitare të shtetit që ekzistojnë në nivel qëndror. Statuti i Asociacionit duhet t’i zbatojë të njëjtat rregulla që ekzistojnë në nivelin qëndror në Kushtetutë për mbrojtjen e komuniteteve joshumicë. Për shembull, strukturat e Asociacionit (përfshi ato vendimarrëse) duhet të kenë përfaqësim të garantuar për komunitetet joshumicë nga këto komuna, ndërsa në vendimarrjen mbi çështjet e interest vital do të duhej të kishte nevojë për shumicë të dyfishtë (2/3) të komuniteteve joshumicë që jetojnë në këto komuna.
3. Parimi i tretë është se Asociacioni nuk duhet të jetë teritorialisht i koncentruar në veri por duhet të jetë i shtrirë në gjithë Kosovën. Kjo do të prodhonte balancë thelbësore mes qeverisjes lokale dhe natyrës unitare të shtetit, ndërkohë që do t’i shërbente para së gjithash interesave të të gjithë serbëve të Kosovës dhe jo Beogradit.
4. Parimi i katërt është se qëndrueshmëria e Asociacionit varet nga fryma e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Për këtë arsye, duhet të lejohet një nivel i njëjtë i bashkëpunimit komunal dhe i lehtësimit të shërbiemeve mes Kosovës dhe komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës, veçanërisht në fusha si arsimi, kultura dhe ekonomia.