Macroni i kërkon Attalit të qëndrojë kryeministër edhe pas humbjes së zgjedhjeve - NACIONALE

Macroni i kërkon Attalit të qëndrojë kryeministër edhe pas humbjes së zgjedhjeve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti francez, Emmanuel Macron, të hënën vendosi që ta mbajë në zyrë kryeministrin Gabriel Attal edhe pas zgjedhjeve parlamentare, në të cilat kampi qeveritar e humbi rolin si partia më e fuqishme. Majtistët dolën të parët, duke e lënë Kuvendin me përbërje të përçarë.

“Presidenti ka kërkuar nga Gabriel Attal që të mbetet kryeministër tash për tash me qëllim që të sigurohet stabiliteti i vendit” – tha zyra e Macronit në një deklaratë, raporton agjencia “Reuters”.

Attali tashmë kishte thënë të dielën se do ta ofronte dorëheqjen, e cila vjen si traditë politike franceze, por kishte shtuar se ishte i përgatitur për të qëndruar në zyrë më gjatë si kryeministër në detyrë, por se i përkiste presidentit që të vendoste.

Ç'ndodhi në zgjedhje?

Franca ballafaqohet me një përbërje të re të Kuvendit që vështirë se mund të miratojë ligje dhe me të ardhmen e bisedimeve të vështira nga e hëna për formimin e qeverisë së re, pasi fitorja e befasishme e së majtës e bllokoi synimin e zonjës Le Pen për ta sjellë në pushtet të djathtën ekstreme.

Fronti i Ri Popullor, bllok i partive majtiste, doli forca e parë në Asamblenë Kombëtare pas zgjedhjeve të së dielës, por pasi asnjë grup nuk e ka siguruar shumicën funksionale parlamentare, ka mundësi që fituesi të formojë qeveri të pakicës ose një koalicion të gjerë e të vështirë, raporton agjencia “Reuters”.

Rezultati i zgjedhjeve i tha një goditje therëse presidentit Emmanuel Macron dhe e lë ekonominë e dytë më të madhe të eurozonës në situatë të paqartë, duke kumtuar një periudhë të jostabilitetit politik vetëm disa javë para Lojërave Olimpike Parisi 2024.

Macroni përfundoi me një përbërje kuvendi thellësisht të përçarë, në atë që pritet ta dobësojë rolin e Francës në Bashkimin Evropian dhe më gjerë dhe ta bëjë më të vështirë për cilindo grup çuarjen përpara të ndonjë agjende të brendshme.

E majta fitoi 182 ulëse, aleanca e qendrës e Macronit 168, ndërsa Tubimi Kombëtar i së djathtës ekstreme dhe aleatët e tij 143 ulëse, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cituara nga gazeta “Le Monde”.

Partitë e bllokut majtist – ku përfshihen Partia Komuniste e Francës, partia e së majtës ekstreme “Franca e Papërkulur”, të Gjelbrit dhe Partia Socialiste – u takuan gjatë natës në rundin e parë të bisedimeve për atë se si të ecet tani e tutje.

Lajme të ngjashme