Lushaku-Sadriu: Katër ditë para fillimit të mësimit, rreth 200 mijë nxënës nuk e dinë kur do t’i kenë tekstet shkollore
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka bërë me dije se edhe një vit shkollor po fillon me rrëmujë, vonesa e ankthe për prindërit.
Ajo ka vlerësuar se kjo po ndodh për shkak të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se rreth 200 mijë nxënës të klasave 1–9 ende nuk e dinë kur do t’i kenë tekstet shkollore.
“Edhe një vit shkollor po fillon me rrëmujë, vonesa, ankth të prindërve, për shkak të papërgjegjësisë së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Rreth 200 mijë nxënës të klasave 1–9, vetëm katër ditë para fillimit të mësimit, ende nuk e dinë kur do t’i kenë tekstet shkollore. Prindërit presin subvencionet, libraritë presin prindërit, ndërsa fëmijët rrezikojnë të ulen përsëri në bankat shkollore pa libra. E Ministria e arsimit, sot, më 27 gusht, ende nuk e ka caktuar as shumën e subvencionimit për librat!”, ka shkruar ajo, duke dhënë detaje tjera.
“Data e fillimit të vitit shkollor dihej botërisht. Ministria ka pasur muaj të tërë për t’u përgatitur, jo ta lë organizimin, kur zilja e parë është gati të bjerë. Kjo qasje është poshtëruese ndaj nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve dhe dëshmi e një Ministrie që nuk arrin ta organizojë me kohë as procesin më elementar të fillimit të vitit shkollor. Tash e pesë vite e njëjta skenë: vendime në minutën e fundit, prindër që vrapojnë pas librave, vonesa në furnizim dhe nxënës që e fillojnë shkollën pa kushtet më bazike për mësim. Fëmijët dhe familjet tona po e paguajnë çmimin e paaftësisë së një të ashtuquajture Qeveri në detyrë, që veç në detyrë nuk është!”, ka shkruar ai.