“Luanët e nëntokës”: Pamje ekskluzive nga ngujimi i minatorëve në Trepçë - NACIONALE

“Luanët e nëntokës”: Pamje ekskluzive nga ngujimi i minatorëve në Trepçë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pamje ekskluzive sjell Nacionale, nga brendësia e Minierës së Trepçës ku ishin të ngujuar 40 minatorë për rreth 18 orë.

Ndërsa fatmirësisht, të gjithë minatorët tashmë janë nxjerrë në sipërfaqe, pamjet tregojnë momentet e frikshme që kanë kaluar të ngujuarit 800 metra nën tokë.

Një nga minatorët shihet dhe dëgjohet duke thënë se: “Jo 1000 euro, po 5000 është pak për minatorët”, teksa i quan shokët e tij “luanë të nëntokës”, minatori, së cilit i dëgjohet edhe frymëmarrja e vështirësuar, tregon se të gjithë janë me agjërim dhe ndodhen 800 metra nën tokë.

Nga pamjet e filmuara nga vetë ai, shfaqet edhe procesi i ngjitjes në sipërfaqe gjatë kalimit të horizonteve të minierës.

Përderisa vazhdimisht tregon kohën që kur janë ngujuar, minatori tregon se ky muaj i Ramazanit nuk do të harrohet ndonjëherë.

Kujtojmë se mëngjesi i së hënës i gjeti të ngujuar nën tokë minatorët, për shkak të një defekti në ashensor.

Nacionale ka qenë në vendngjarje edhe në momentin e shpëtimit të tyre, ku edhe ka folur me disa nga ta.

“Nga ora 12 na kanë lajmëru se ka diçka defekt. Na kanë thënë se gjendja nuk është e mirë. Pastaj kemi bo syfyrin. Kemi pasë një qumësht, jogurt, argeta. Të gjithë jemi kanë me ramazan,”- ka thënë një nga minatorët për Nacionalen.

Ndërkohë, drejtori i prodhimit në minierën e Trepçës, Bujar Jashari ka treguar për Kanal 10 se probleme të tilla me ashensor kanë pasur edhe më herët.

Lajme të ngjashme