Llumnica dënohet me 4 vjet e gjashtë muaj burgim, Ramabaja i pafajshëm
I akuzuari Avni Llumnica është dënuar me 4 vite e gjashtë muaj burgim, kurse Sadri Ramabaja është liruar nga akuza.
Llumnica akuzohet për tentim vrasje të Azem Vllasit në bashkëkryerje me tani të ndjerin M.J. Ndërsa, Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar të akuzuarit në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, Avni Llumnica në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” nga neni 179, paragrafi 1, nënparagrafi 1.8 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Dënimi i shqiptuar me burg, e që është 4 vjet e 6 muaj, do të hyjë në fuqi pas plotëfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
“Është fjala për pjesën e mbetur sepse të njëjtit do t’i llogaritet koha e qëndrimit në paraburgim nga datat 13 mars 2018 deri më datën 20 prill 2021”, tha gjykatësi Konxheli.
Pala e dëmtuar, Azem Vllasi për pikën 1 të aktakuzës ku i pandehuri Avni Llumnica është shpallur fajtor, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest civil.
Kurse për lirimin e Ramabajes thuhet se nuk është provuar se i njejti ka kryer veprën penale.
Sipas nenit 364, pika 1.3 të Kodit të Procedurës Penale, gjykata ka marrë aktgjykim lirues ndaj Sadri Ramabajës, pasi nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale me të cilën akuzohet.