Lladrovci për ngërçin institucional: Në numërimin mbrapsht për çlirimtarët, ku është shteti ynë? - NACIONALE

Lladrovci për ngërçin institucional: Në numërimin mbrapsht për çlirimtarët, ku është shteti ynë?

4 orë më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Drenasit ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me numërimin mbrapa të vendosur në Sheshin e Prishtinës, duke e cilësuar atë si simbolikë të kërkesës për përfundimin e, siç thotë ai, padrejtësisë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Sipas tij, ditët, orët, minutat dhe sekondat simbolizojnë pritjen për një vendim pafajësie për ish-krerët e UÇK-së, të cilët i ka quajtur “çlirimtarë, shtetformues dhe shtetndërtues”.

Në postim, ai ka ngritur edhe çështjen e bllokadës institucionale në Kosovë, duke kërkuar themelimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë nga shumica parlamentare dhe një takim për të ecur përpara me emërimin e Presidentit të vendit.

Kryetari i Drenasit ka thënë se “bllokada në shtetin demokratik nuk është opsion”, duke vlerësuar se situata aktuale dërgon mesazh jo të mirë te shtetet aleate të Kosovës.

Ai ka kërkuar respekt institucional për, siç i ka quajtur, “heronjtë tanë të luftës dhe paqes”.

Në fund të reagimit, ai ka bërë thirrje që të nisë “numërimi mbrapa 24-orësh” për krijimin e institucioneve të shtetit, duke theksuar se Kosova “meriton më mirë”.

Lajme të ngjashme