Lista Serbe pretendon se personat që gjuajtën me armë në Uglarë po flisnin shqip
Lista Serbe po pretendon se personat që dyshohet se gjuajtën me armë nga një veturë në lëvizje në drejtim të shkollës fillore në Uglarë, po flisnin në gjuhën shqipe.
Ky subjekt politik veç kësaj ka pretenduar se në momentin kur ndodhi rasti, në oborrin e shkollës ka pasur nxënës serbë.
“Fatmirësisht, asnjë prej fëmijëve nuk u lënduan në këtë sulm, por kjo ka shkaktuar frikë dhe mërzitje tek serbët që jetojnë në Kosovë, veçanërisht në qendër të saj.” – thuhet në njoftim.
Lista Serbe e ka përmendur edhe kryeministrin Albin Kurti në reagim, duke pretenduar se ai ”kurrë nuk u distancua nga kriminelët që sulmojnë fëmijët serbë”.
Po ashtu, është përmendur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Nuk ka vendim as në Qeveri as nga ministry Sveçla te forcat speciale që të gjenden përgjegjësit dhe të parandalojnë sulmet ndaj serbëve.” – thuhet tutje në komunikatë.