LDK në Ferizaj: Pushteti komunal po praktikon këmbimin e pronës komunale, pa u shqetësuar për interesin e përgjithshëm
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dega në Ferizaj, Visar Azemi kanë reaguar ndaj Komunës së Ferizaj.
Azemi ka bërë të ditur se dy asamblistë të LDK-së në Ferizaj, Flamur Istrefi dhe Besim Haziri kanë mbajtur konferencë për media, ku përmes një saj kanë pasqyruar një tentativë të tillë në lidhje me pronën komunale 473/3 në fshatin Zaskok.
“Derisa banorët e donin atë parcelë si vend ku do të ndërtohet diçka në shërbim të tyre dhe derisa ajo ishte e destinuar për ndërtimin e strehimores për banim social, Komuna e Ferizajt lejoi devijimin e saj duke mundësuar që dikush të nisë aty punime.” – thuhet në postimin e Azemit.
Postimi i plotë:
Pushteti komunal në Ferizaj ka vite që po ndjekë praktikën e këmbimit të pronës komunale, pa u shqetësuar për interesin e përgjithshëm. Përmes kësaj mënyre, ka pasur vazhdimisht tentime që të favorizohen individë të caktuar, përfshirë edhe uzurpatorë të pronës publike. Një gjë e tillë është kundërshtuar vazhdimisht e fuqishëm dhe në forma të ndryshme nga përfaqësuesit e LDK-së në Kuvendin Komunal të Ferizajt.
Asamblistët tanë, Flamur Istrefi dhe Besim Haziri, sot përmes një konference pasqyruan një tentativë të tillë në lidhje me pronën komunale 473/3 në fshatin Zaskok. Derisa banorët e donin atë parcelë si vend ku do të ndërtohet diçka në shërbim të tyre dhe derisa ajo ishte e destinuar për ndërtimin e strehimores për banim social, Komuna e Ferizajt lejoi devijimin e saj duke mundësuar që dikush të nisë aty punime.
Pushteti bëri përpjekje që të krijoi mjegull rreth kësaj çështjeje dhe të mbajë publikun të pasqaruar për të. Por, asamblistët tanë ishin të vendosur që ajo t'iu përkiste interesit të qytetarëve dhe me çdo mjet problematizuan tentativën e pushtetit dhe kundërshtuan devijimin e asaj parcele. Ballafaqimi me pushtetin për këtë veprim të kundërligjshëm, kundërshtimi i këtij veprimi përkrah qytetarëve dhe duke çuar zërin e tyre në Kuvendin Komunal, rezultoi i suksesshëm. Pushteti u zmbraps e prona u kthye në gjendjen e mëparshme, pra në shërbim të qytetarëve.
Falënderoj asamblistët për përkushtimin e tyre në shërbim të interesit të qytetarëve, dhe gjithsesi edhe këta të fundit për vendosmërinë për ta mbrojtur atë që iu takon. Ky është një lajm i mirë dhe shembull se si përkushtimi për të mirën e përgjithshme jep rezultate.
