LDK: Mbështetja e aleatëve rezultoi në avancimin e Kosovës në anëtare të asociuar
Lidhja Demokratike ka mirëpritur që Kosovës t’i miratohet avancimi i statusit prej një anëtare thjesht-vëzhguese në anëtare të asocuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s këtë të hëne në mbledhjen në Sofje të Bullgarisë.
Përmes një komunikate në Facebook, LDK ka theksuar rolin e ShBA-së në këtë drejtim duke thënë se mbështetja e vazhdueshme nga aleati më i madh i Kosovës rezultoi në një sukses të tillë.
Postimi i plotë:
Mbështetja e vazhdueshme dhe e palëkundur e ShBA-ve dhe anëtarëve tjerë të NATO-s sot rezultoi në avancimin e Kosovës nga vëzhguese në anëtare të asociuar.
Miqësia dhe bashkëpunimi me Amerikën dhe NATO-n ishin dhe mbeten pjesë themeltare të vizionit të Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova. Përkushtimi i Kosovës tash e disa dekada për paqen, stabilitetin dhe parimet demokratike u pasqyrua në mbështetjen e NATO-s ndaj vendit tonë. Kosova dhe qytetarët e saj janë gjithnjë falënderuese ndaj shteteve anëtarë të NATO-s që edhe sot, si gjithnjë, na qëndruan pranë dhe me votën e tyre mundësuan avancimin e statusit tonë.
Mbetet edhe shumë punë deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO. LDK-ja do të vazhdojë kontributin e saj, të filluar qysh më 1989, drejt integrimit të plotë të Kosovës në institucionet euroatlantike.