LDk mban tubimin përmbyllës, Abdixhiku: Kjo fushatë na tregoi se njerëzit janë lodhur, duan shpresë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se pa LDK-në nuk mund të ketë stabilitet politik, orientim shtetëror dhe një Kosovë që, sipas tij, komunikon me botën dhe respekton qytetarët e saj.
Deklaratat Abdixhiku i bëri në mbyllje të fushatës elektorale të LDK-së, më 26 dhjetor 2025, ku theksoi se gjatë fushatës ka dëgjuar drejtpërdrejt zërin e qytetarëve. Sipas tij, ky nuk ka qenë “zë i urrejtjes”, por “zë i lodhjes së njerëzve që punojnë shumë, por jetojnë vështirë”.
“Kjo fushatë e shkurtër na tregoi qartë se shoqëria jonë është e thyer dhe e lodhur. Kjo lodhje nuk vjen nga mungesa e vullnetit, por nga mungesa e drejtimit dhe vetë shtetit, nga ndjenja se përpjekja individuale nuk po shoqërohet me politika të drejta dhe institucione funksionale”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka shtuar se qytetarëve u mungon shpresa dhe se, sipas tij, “LDK është një shpresë” për vendin.