Lawton vlerëson Marrëveshjen e Uashingtonit: Përparim domethënës në normalizimin Kosovë-Serbi
Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit, Daniel Lawton, ka vlerësuar Marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020, duke thënë se prej saj është arritur përparim domethënës në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Duke raportuar para Nënkomitetit për Evropën të Kongresit Amerikan, Lawton ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve dhe ruajtja e paqes mes Kosovës dhe Serbisë janë thelbësore për stabilitetin rajonal.
“Përparim domethënës është arritur që nga Marrëveshja e Uashingtonit e vitit 2020, që u arrit nga presidenti ynë Donald Trump në mandatin e parë”, ka thënë Lawton.
Megjithatë, ai ka vlerësuar se dialogu i lehtësuar nga BE-ja ka ngecur për shkak të mungesës së vullnetit politik nga të dyja palët, duke i bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i ndalin provokimet dhe t’i vazhdojnë bisedimet pa parakushte.
“Normalizimi i marrëdhënieve dhe mirëmbajtja e paqes mes Serbisë dhe Kosovës, është esenciale për stabilitet rajonal. Përparim domethënës është arritur që nga Marrëveshja e Uashingtonit e 2020, që u arrit nga Presidenti ynë Donald Trump në mandatin e parë. Megjithatë dialogu i lehtësuar nga BE-ja ka ngecur për shkak të mungesës së vullnetit politik në dyja palët. Dhe i nxisim t’i ndalojnë provokimet e t’i vazhdojnë bisedimet pa parakushte”, tha ai ndër të tjera.