Lavdërohet Kurti: Kosova në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan
Kryeministri Albin Kurti, është takuar sot me kryesuesin ekzekutiv të Atlantic Council, gjeneralin James Jones, themeluesin dhe kryesuesin e Fondacionit Malama Ka’u, Mel Yokoyama, si dhe ish-ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Fatmir Mediu.
Bëhet e ditur se gjatë këtij takimi është diskutuar për zhvillimet politike, mundësitë për investime dhe çështjet e sigurisë në Kosovë e rajon.
Kurti në këtë takim po ashtu ka folur për World Justice Project, duke veçuar renditjen e Kosovës në vendin e parë për sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan, për ngritjen për 17 vende në luftën kundër korrupsioni, sipas Transparency International dhe për ngritjen për 17 vende më lartë sa i përket lirisë së mediave sipas Reporterëve pa Kufij.
Kurti po ashtu ka thënë se vendit i duhet ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për t;u bërë pjesë e Programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, deri në kohën kur Kosova do të bëhet anëtar i plotë i Alenacës.
Kujtojmë se, gjenerali Jones ka qenë Komandant Suprem i Aleancës për Evropë dhe ish-këshilltar për siguri kombëtare të presidentit të ShBA-së. Ai ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe është iniciator i Iniciativës së tre deteve Baltik, Mesdhe dhe Deti i Zi, ku janë të përfshira të gjitha vendet e Evropës Qendrore për investime në infrastrukturë, energji dhe teknologji.
Pjesë e këtij takimi ishin edhe deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Shqipe Selimi dhe këshilltari i kryeministrit Kurti, z.Lulëzon Jagxhiu.
