Lavdërohet Kurti: Kemi 87 mijë vende pune më shumë prej vitit 2019
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se “statistikat e rritjes së vendeve të punës” flasin për suksesin e qeverisë së tij.
Ai gjatë fillimit të pilotimit të skemës për reformën e asistencës sociale, pretendoi se janë hapur mbi 87 mijë vende pune nga 2019 në 2023.
“Statistikat e rritjes së vendeve të punës, uljes së shkallës së papunësisë, rritjes së punësimit të grave e të rinjëve rritjes ekonomike, rritjes së qarkullimit të bizneseve, e rritjes së të hyrave buxhetore pasqyrojnë qartazi suksesin e qeverisë sonë në këtë drejtim. Nga 331 mijë e 744 vende pune në mbyllje të vitit 2019 në fund të vitit 2023 kemi 419 mijë e 126 vende pune apo mbi 87 mijë vende pune më shumë apo mbi 26%. Nga një rritje e të hyrave buxhetore me 1 milion euro për më tepër se dhjetë vite para nesh kaluam në një mbledhje të të hyrave buxhetore për 1 miliard euro e më shumë për tri vite qeverisje. Këtë realitet të ri e konfirmojnë edhe institucionet ndërkombëtere financiare si banka botërore fondi monetar ndërkombëtar e së fundi edhe raporti i Agjencisë ndërkombëtare të vlerësimit kreditor.” – citohet se ka thënë ai, sipas “EO”.
Kurti ka folur edhe për shtesat ndaj lehonave e fëmijëve:
“Qysh në shtator të viti 2021 ndihmuam me shtesat për lehona e fëmijë. Deri më tani kemi mbi 400 mijë fëmijë që përfitojnë nga këto skema. Ndamë mbi 100 milion euro për të mbështetur pensionistët dhe për skemat tjera sociale”.