Latifi skeptik ndaj veprimeve të Abdixhikut: Procedurat nuk e shpëtojnë LDK-në nga kriza e thellë
Partia më e vjetër në vend po përjeton orët e saj më të errëta që nga themelimi në vitin 1989. Ky është konstatimi i analistit Blerim Latifi, i cili pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, e sheh Lidhjen Demokratike të Kosovës në një kolaps historik.
Në studion e emisionit "Pressing", Latifi deklaroi se asnjëherë më parë, as në periudhën e vështirë të pasluftës, LDK-ja nuk ka qenë më e dobët. Profesori vuri në pikërpyetje strategjinë e Lumir Abdixhikut për të menaxhuar këtë situatë, duke theksuar se "hapat proceduralë" nuk mjaftojnë për të shëruar një krizë kaq të thellë ekzistenciale.
“Ky është momenti më i rëndë, më i keq dhe më i sikletshëm për LDK-në në krejt historinë e ekzistëncës së saj, qysh nga krijimi i saj në 1989”.
“Madje as pas përfundimit të luftës LDK nuk ka qenë më e dobët sesa është tash”, tha Latifi në Pressing në T7.
“Kjo është një krizë që strukturat drejtuese të LDK-së po mundohen me trajtu në aspektin procedural, por mendoj që kriza nuk mundet me u tejkalu thjeshtë duke ndjekur ato që Abdixhiku i përmendi si hapa procedural…”, shtoi Latifi.