Kërkohet shkarkimi i Bordit të KPM-së, si shkak përmendet kompania serbe - NACIONALE

Kërkohet shkarkimi i Bordit të KPM-së, si shkak përmendet kompania serbe

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Anëtarët e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, kanë kërkuar shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave pasiqë kanë kthyer kanalet serbe “Arena” në operatorët kabllorë dhe gjatë kohës së fjalimit të kryeministrit Kurti në KS të OKB-së kishte ndërprerje të rrjetit nga IPKO. Opozita një gjë të tillë e ka vlerësuar si presion mbi mediat.

KPM-ja kishte pezulluar kanalet sportive të “Arena”, pasiqë në to ishin shfaqur mesazhe e thirrje mbështetëse për terroristët e vrarë më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë. E disa ditë më parë i riktheu të njëjtat.

Lidhur me këtë u shprehë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nijazi Isaku, i cili tha se e mbështet kërkesën për shkarkimin e Bordit të KPM-së për shkak të rikthimit të kanaleve serbe “Arena” në operatorët kabllorë.

Andaj, është ngritur një shqetësim i madh i qytetarëve pas atij vendimi. Nuk mendoj që ka qenë diçka që s’është për t’u diskutuar. Është shumë për t’u diskutuar. E keni pasur ju një vendim të kaluar, por kaq shpejt e ndryshuar atë vendim. Aq më tepër kur ky vendim është atakuar në Gjykatën Komerciale dhe dy shkallë të kësaj gjykate e vërtetojnë atë vendim që ju e keni marrë”, tha Isaku, përcjell Ekonomia Obline.

Po ashtu unë e pashë një lajm që këtë vendim e ka mbështetur Telekom Serbia. Qysh pra një vendim që e ka marrë KPM-ja e jonë duartrokitet nga Telekom Serbia”. A e kuptoni çka ka ndodhur në Banjskë dhe çka e ndryshoi atë ngjarje kur dihet botërisht se ka qenë sulm terrorist ndaj shtetit tonë, i financuar nga Serbia, kur kemi një hero të vrarë të Kosovës çka kemi me i thanë na familjes së Afrim Bunjakut pas këtij vendimi?”, tha deputeti.

Tutje, Isaku përmendi edhe ndaljen e rrjetit nga kompania IPKO në momentin kur po bëhej gati të mbante fjalim kryeministri Albin Kurti në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të enjten në mbrëmje.

Ju e patë vet çka ndodhi dje. Unë vet jam çu e kam incizu. Duke fol kryeministri i vendit në Këshillin e Sigurimit, doli IPKO e bllokoi. U dashtë me hi në kompjuter me leshu se na i ndali qasjen kur fliste kryeministri i Kosovës. Foli Vuçiqi u transmetu, filloi kryeministri i Kosovës e ndalën rrjetin. Edhe Serbia i kish ndal fjalimet e Kurtit”, u shpreh ai.

Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e ka quajtur presion publik, kërkesën e mazhorancës për shkarkim të Bordit të KPM-së.

Lajme të ngjashme