“Ky ligj duhet të tërhiqet” – Edhe një deputet i pushtetit del kundër Liburn Aliut për ndërtimet pa leje - NACIONALE

“Ky ligj duhet të tërhiqet” – Edhe një deputet i pushtetit del kundër Liburn Aliut për ndërtimet pa leje

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Haliti, ka dalur kundër iniciativës për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për ndërtimit pa leje.

Ai ka thënë se ky Ligj duhet të tërhiqet në qeveri. Sipas Halitit, nëse miratohet ky ligj, atëherë amnistohen të gjitha ndërtimet pa leje.

“Nëse ky ligj sot kalon, do të bëhet amnistimi i të gjitha ndërtimeve pa kriter nëpër komunat e Kosovës. Të gjitha ato kallëzime penale, raste në Gjykata do të përfundojmë, nëse i legalizojmë ato ndërtime. Është e çuditshme si me kaq lehtësi flitet për ndërtimet e kategorisë 2 që janë ndërtime pa leje, kur një investitor ka potencial që të fillojë ndërtime të objekteve banesore miliona euro, e nuk e ka të qartë se duhet të pajisjet me një leje ndërtimore”, ka thënë Enver Haliti, transmeton Nacionale.

“Nxirret një ligj për legalizim pa përfillur të gjitha kriteret. Është shqetësuese për institucionet tona që amnistojnë e lejojnë banorët të futen në ato objekte pa u pajisur me leje. Nesër ai objekt me ndonjë tërmet, të ndodhë me ndonjë fatkeqësi. Ministria ende nuk e ka finalizuar hartën zonale, dhe komunat janë prapa me këtë proces. Unë së bashku me kolegë jemi marrë shumë me këtë problematikë, por nuk kemi hasur në përkrahje nga ana e Ministrisë, dhe më vjen keq që ekziston një Institut i Planifikimit, dhe nuk bën asnjë gjë. Ky ligj duhet tërhiqet, të kthehet në qeveri, dhe të ndahet vetëm për ndërtimet e kategorisë së parë”, tha Haliti në Kuvendin e Kosovës.

Kundër kësaj inciative të Ministrisë së Liburn Aliut, kanë dalur edhe deputetët Dimal Basha dhe Haki Abazi.

Lajme të ngjashme