Kuvendi sot mban seancë, e shqyrton projektligjin për buxhetin e vitit 2023
Kuvendi i Kosovës sot mban seancë plenare. Pas adresimit të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila sot do t’i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës, gjysmë ore më vonë, do të ketë një seancë plenare.
Kjo seancë ka vetëm një pikë të rendit të ditës: shqyrtimi i dytë i projektligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.
E buxheti i vitit të ardhshëm është më i larti në historinë e Kosovës dhe do të jetë në vlerë të 3 miliardë e 212 milionë eurove.
Kuvendi, ditë më parë, e ka miratuar në lexim të parë projektligjin nr. 08/L-193 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.