Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezolutën kundër raportit të Dick Martyt, reagon Enver Hoxhaj
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar pasi Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezolutën kundër raportit të Dick Martyt.
Hoxhaj përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, e ka falenderuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.
“Kuvendi i Shqipërisë sapo miratoi Rezolutë mbi fabrikën e gënjeshtrave të pretendimeve të Dick Martyt për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri nga ish-krerët e UÇK-së. Tani, do t'i kërkohet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që të bëjë një rishikim të rezolutës që është votuar më parë dhe të rivlerësojë pretendimet e pabazuara të Martyt. Falenderoj veçanërisht Kryeministrin Edi Rama, të gjithë forcat politike dhe të gjithë deputetët në Kuvendin e Shqipërisë, që me 125 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim i dhanë mbështetjen kësaj rezolute”, ka thënë ai.
Ndryshe, Kuvendi i Shqipërisë e miratoi këtë rezolutë me 125 vota pro.