Kusari pas vendimit për truprojën e Kurtit që sulmoi gazetaren: Ka video që e dëshmojnë këtë - NACIONALE

Kusari pas vendimit për truprojën e Kurtit që sulmoi gazetaren: Ka video që e dëshmojnë këtë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Juristja e media, Flutura Kusari ka reaguar pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë konsideroi se sulmi i truprojës së Kryeministrit Albin Kurti ndaj gazetares Blerta Dalloshi, nuk përbën vepër penale.

Kusari ka shkruar se Prokuroria do të duhej të ishte në anën e gazetarëve dhe jo në anën e kryeministrit, ndërsa thotë se vendimi për hudhjen e aktvendimit penal është kundër Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Këshillit të Europës.

“Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konsideruar që sulmi fizik që iu ka bërë gazetares Blerta Dalloshi nga ana e Bardhyl Rrustemi, truprojë i kryeministrit Albin Kurti, nuk përbën vepër penale, ndonëse ka video që dëshmojnë që ai e ka sulmuar jo vetëm Blerten por edhe të paktën dy gazetarë të tjerë. Akvendimi për hudhjen e kallëzimit penal është në kundërshtim me standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Këshillit të Europës dhe është qartazi anues kah i dyshuari dhe jo nga mbrojtja e viktimes dhe drejtësia.” – ka thënë ajo.

Kusari ka shtuar se arsyet e dhëna për këtë vendim nga prokurori i rastit sipas saj janë të pabazuara në ligj.

Ajo njoftoi se gazetarja Dalloshi do të ankohet në apel.

“Prokurori Kastriot Berisha e arsyeton kështu vendimin e tij për hudhjen poshtë të kallëzimit penal, arsyetime këto të pabazuara në ligj dhe që dëshmojnë mungesë të njohurive të rolit të gazetarëve në shoqni. Në kllapa janë komentet e mija. Prokurori nuk e përmend faktin që sulmi ka edhe bazë gjinore (shih vepren penale të lëndimit të lehtë), nuk merr parasysh fare situatën e lirisë së medias në rënie rapide në Kosovë, rrezikun që po ju kanoset gazetarëve çdo ditë, efekti frenues që ai sulm ka tek gazetarët tjerët dhe rreziku i krijimit të precedentëve ku politikanët mund të përdorin truprojet e tyre për t'i sulmu fizikisht gazetarët. Përgjithësisht aktvendimi është shkruar në një frymë anti-media.” – ka thënë Kusari.

“Pata fillu me pasë shpresu në prokurori për shkak se aktakuzat në rastet e Valon Syla, Alban Selimi dhe hetimet në Albkings kanë qenë storje suksesi në mbrojtje të gazetarëve. Por si duket storje suksesi janë vetëm rastet kur nuk i prekin politikanët në pushtet. Blerta do të ankohet në apel dhe shpresoj që prokurori/prokurorja e rastit do ta shqyrtojë këtë rast ashtu siç e meriton - si ndërhyrje flagrante në lirinë e medias që ka rezultu me lëndim trupor të një gazetare grua. Ky rast është ndër rastet me high profile të sigurisë fizike të gazetarëve të këtij viti.” – përfundoi ajo.

Lajme të ngjashme