Kusari-Lila: Draft-statuti i Asociacionit mund të ndryshojë
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila për KosovaPress ka thënë se draft-statuti i Asociacionit i propozuar nga Perëndimi, nuk krijon një mekanizëm të ri të pushtetit të tretë qeverisës që mund ta rrezikojë shtetësinë apo kushtetutshmërinë e Kosovës.
Ajo ka thënë se shqetësimet e krerëve të vendit janë se në disa aspekte që mund të krijojnë dykuptimësi, e për të cilat aspekt, ajo ka thënë se qeveria ka dërguar komentet e tyre.
“Ne nuk flasim për asnjë mekanizëm të ri, qoftë institucional apo në nivel të organizimit të nivelit komunal që mund të rrezikojë shtetësinë e Kosovës apo kushtetutshmërinë e vendit. Pasi janë një mori mekanizmash dhe gjatë gjithë kohës është folur për mos sjelljen e situatës në të cilin krijohen probleme apo minohet rendi kushtetues apo defunksionalizohen mekanizmat e caktuar qoftë të ekzekutivit apo nivelit lokal…Jo absolutisht. Ne nuk e kemi as konceptin e shtetit federal. Rendi kushtetues i Kosovës është i qartë si republikë parlamentare me dy nivele të qeverisjes, atë lokal dhe qendror. Si e tillë nuk pritet dhe nuk ka asnjë hapësirë dhe mundësi të ndryshohet. Por mbi tërë këtë janë edhe garancitë e partnerëve, gjegjësisht aleatëve në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur ka pasur kërkesa apo insistime se kjo mund të krijojë një sistem të tretë të qeverisjes në Kosovë kam qenë vet prezente ku ka pasur reagime të përfaqësuesve të shteteve të QUINT-it, në kundërshti me këtë teori apo presupozim." - u shpreh Kusari-Lila.