Kurti u kërkon aktivistëve të VV-së ta pastrojnë bërllokun: Organizoni aksione të pastrimit të lagjes
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, dje shpalosi platformën e tij në prani të aktivistëve të LVV-së, duke ua kërkuar besimin për rizgjedhjen kryetar në subjektin që e drejton që disa mandate, me një pauzë 3-vjeçare.
Gjatë fjalimit të tij të gjatë, shumë të gjatë, Kurti foli për shumë çeshtje, gati për gjithçka.
Dikah ka mesi i fjalimit, ai dha disa orientime strategjike për aktivistët e VV-së.
Këshillat, që më shumë ngjanin në urdhra për korrektësi ideologjik, Kurti u kërkoi aktivistëve të themelojnë task forca të veçanta në lidhje me hulumtimin e problemeve komunale dhe përpilimin e zgjedhjeve.
Madje, ai pati një këshillë interesante për aktivistëve, duke u kërkuar të pastrojnë bërllogun nëpër lagjet e tyre.
“Nëpër komuna, VETËVENDOSJE! duhet të bëjë edhe punë vullnetare, publike e sociale, për qytetarët pa dallim. Asisoj, me vepra konkrete lidhemi me popullsinë më shumë, i mobilizojmë ata për diçka shumë të prekshme (psh. pastrimi i lagjes) dhe e fitojmë mbështetjen e tyre që e përdorim sërish për ata. Kryetarët e komunave që udhëheqim dhe asamblistët tanë komunalë gjithandej komunave të Kosovës duhet të jenë bërthama e këtyre veprimtarive.”, deklaroi Kurti.
Kryeministri pati këshilla edhe për aktivistët e Qendrat e VV-së ku kjo parti është në opozitë.
“Edhe aty ku jemi opozitë komunale asamblistët tanë duhet të jenë sa më aktivë në debatet që zhvillohen në asamble por edhe në komunikim të përditshëm me qytetarin e komunës. Konferencat e rregullta për media ku asamblistët tanë komunalë i informojnë qytetarët për qëndrimet dhe politikat e Lëvizjes për komunën e tyre janë të domosdoshme. Fytyrat dhe zëri i atyre që na përfaqësojnë në kuvendet komunale duhet të jenë shumë mirë të njohura për qytetarin, e jo që ai të njoftohet me to gjatë fushatës zgjedhore.”, përfundoi Kurti.